
Miratimin dje në Kuvend të marrëveshjes financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të IPA 3, fondet e Unionit për reformat integruese të vendit, e ka përshëndetur sot edhe BE, përmes një postimi në twitter.
Miratimi kaloi në unanimitet nga palët politike, me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Lajm i mirë: Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen me BE-në për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare të BE-së, e cila do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit, deri në 600 milionë euro.
Kurse ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann ka shkruar se ky ratifikim vazhdon partneritetin e fortë mes BE-së dhe Shqipërisë.
Ajo ka shtuar gjithashtu se hapja e negociatave të anëtarësimit këtë verë ishte një moment historik në marrëdhëniet BE-Shqipëri.
Ky ratifikim vazhdon këtë partneritet të fortë, me një paketë të re dhe më të madhe mbështetjeje për të ndihmuar Qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim, si dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve.
IPA 3 do të ndihmojë Shqipërinë në procesin e zgjerimit dhe do të sigurojë deri në 600 milionë euro mbështetje për vendin me projekte të ndryshime.
Ky financim do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi dhe qeverisja vendore dhe civile, shoqëria.



