
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka përsëritur deklaratën e saj se BE pa SHBA-të dhe NATO-n është një “tigër prej letre”. Në një postim në Facebook Gërvalla tha se Brukseli nuk është në gjendje dhe s’ka kapacitet për të garantuar siguri. “I sfidoj publikisht ‘specialistët’, që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë. Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme.



