
Anastasia Kotvitska, gruaja e një ish-deputeti ukrainas është ndaluar në kufi me 28 milionë dollarë me vete të cilat i kishte fshehur në valixhe. Kotvitska ishte përzier me refugjatët që iknin nga lufta. Burri i të ndaluarës është ish-deputeti Igor Kotvitsky, emri i të cilit është i lidhur me kompanitë dhe depozitat e uraniumit.
Mediat e huaja raportojnë se ish-modelja ishte e shoqëruar nga e ëma dhe disa truproja dhe kishte me vete gjashtë valixhe ndërsa tentoi të kalonte pikën kufitare në Vilok në kufirin me Hungarinë.
Nga kontrolli që iu bë nga autoritet gruas së një prej ish-deputetëve më të pasur në Ukrainë iu gjetën 28 milionë dollarë dhe dhe 1.3 milionë euro. E gjithë shuma e parave u sekuestrua dhe ndaj gruas është hapur një hetim megjithëse mësohet se ajo ka thënë se paratë i duheshin për lindjen.
Lajmi për arrestimin e Anastasia Kotvitska u raportua nga gazeta ukrainase Obozrevatel. Bashkëshorti, i cili prej vitesh është në krye të sistemit bërthamor mohoi lajmin e arratisjes së gruas së tij dhe konfirmoi se ajo po kalonte kufirin sepse ishte shtatzënë dhe duhej të lindte.



