
Dritëro Arifi, profesor i Shkencave Politike deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se marrëveshja pa nënshkrim e arritur mbrëmjen e djeshme në Ohër me ndërmjetësimin e BE është një njohje ligjore e Kosovës, dhe jo vetëm një njohje “de facto” nga Serbia.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Arifi tha se nënshkrimi nuk erdhi për shkak të politikës së brendshme në Serbi dhe se nëse Vuçiç do firmose për të do niste ndjekja penale.
Sipas Arifit, pjesa më e rëndësishme e kësaj marrëveshje është procesi i implementimit dhe si do të vihet në zbatimim duke shtuar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme. Profesoi theksoi se Asociacioni është pikë që duhet përmbushur, si një marrëveshje e nënshkruar që në vitin 2013.
Është një marrëveshje jashtëzakonisht e mirë, fillon rruga e stabilizimit të marrëdhënieve të dy vendeve, është e përkohshme, por vendos kushte paqësore mes dy kombeve. Plani evropian dhe aneksi (që ka zbrazëti, është i ngushtë, lë pak vend për interpretim) është obligativ, edhe pa nënshkrim. Sipas konventës së Vjenës, kur dy kryeministra apo presidentë pajtohen publikisht, marrëveshja merr karakter ndërkombëtar. Edhe nëse nuk nënshkruhet, marrëveshja merr karakter ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë e kanë pranuar marrëveshjen paraprake dhe e kanë të detyrueshme
Implementimi është proces tjetër. Dy vendet kanë afat 5 muaj, por 5 muaj më duket e pamundur. Pas 250 ditësh organizohet konferenca e donatorëve të BE, por aty specifikohet e alokimi i mjeteve nuk do ndodhë nëse nuk zbatohet në plotni marrëveshja. Do të shohim si do duket marrëveshja në terren, si do zbatohet. Para 10 viteve me Serbinë kemi një marrëveshje të njëjtë, aty kemi dhe një aneks më të mirë të detajuar me data dhe afate por ajo nuk është zbatuar me plotni, as nga Kosova, por pjesa më e madhe nga Serbia. Kemi një marrëveshje më herët që nuk na jep besimin që do zbatohet. BE duhet të jetë sa më serioz pasi nëse do ketë neglizhencë do e humbë rëndësinë që ka si fasilitues.
Është një njohje e butë ligjore, jo vetëm një njohje 'de facto', pasi Serbia do njohë pasaportat, vulat doganore, diplomat që lëshohen me vulën e stemës së Kosovës. Serbia ka dhënë premtimin publik që po i pranon, por Kushtetuta jo. Serbia edhe ligjërisht e ka pranuar Kosovën, por nuk kemi marrëveshje bilaterale të nënshkruar.
Vuçiç nuk nënshkroi për arsye të politikës së brendshme. Nëse e nënshkruante në Serbi do kishim trazira dhe ndjekje penale të Presidentit për shkak të pranimit të Kosovës si shtet i pavarur. Do të jenë e paevitueshme problemet në Serbi. Serbia e ka bërë gabimin vetë, do ketë turbulenca pranimi i realitetit nuk korrespondon me realitetin kushtetues atje.
Kosova duhet të jetë e kujdesshme të zbatojë marrëveshjet që ka premtuar. Neni 10 thotë që palët janë të detyruara të zbatojnë marrëveshjet e kaluara dhe asociacioni do formohet, pavarësisht si do quhet, por përmbajtja do jetë sipas marrëveshjes së 2013. Duhet pasur kujdes si flitet, pasi nuk kërkon politika populiste, por veprime konkrete. Kërkohet impenjim për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Nuk besoj se do e nënshkruajë edhe për një kohë. Nëse kemi sukses së fazën e parë të marrëveshje, mund shkohet deri tek nënshkrimi. Serbia është e obliguar ta respektojë planin franko-gjerman. Palët obligohen t'i repsketojnë të gjitha pikat. Plani paraqet dhe respektimin e sovranitetit të dy vendeve, i bie që Serbia pajtohet që Kosova është e pavarur.
Kjo marrëveshje fuqizon Procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur nuk e ka më peshën si e ka pasur. Procesi i Berlinit është më i avancuar nga aspekti ligjor dhe ekonomik. Ballkani i Hapur ishte një marrëveshje mes shteteve, por pa një dokument ligjor. Kur marrëveshjet ratifikohet marrin kuptimin e marrëveshje ndërkombëtare. Ballkani zbehet më shumë dhe përfiton procesi i Berlinit.



