Moszbatimi i rekomandimeve pas auditimit të koncesionarit të Aeroportit të Rinasit rëndon në xhepat e udhëtarëve. Në studion e lajmeve të TvT, gazetari Klodian Tomorri, analizoi efektet e mosvënies në praktikë të rekomandimeve të dala nga auditi i kryer dy vjet më parë në aeroportin e Rinasit.
“Nuk ka pasur nevojë për rekomandim për qeverinë. Kontrata parashikon që nëse shteti ose koncesionari fiton më shumë para nga sa është parashikuar, t’ia kalojë ato shtetit, ose në rast të kundërt, të kompensohet nga shteti. Pra është parashikuar një normë fitimi. Në verën e vitit 2018, ministrat e Financave dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, lëshuan udhëzimin për auditimin e Rinasit. U përzgjodh BDO, një kompani e njohur, përfundoi raporti dhe ka gjetur se kompania ka fituar shumë më tepër sesa parashikimi. Kjo i jep shtetit të drejtën për të kërkuar kompensim. Rishikimi i tarifave është vetëm një nga mënyrat”, tha Tomorri.
Megjithatë, që nga koha kur ka dalë raporti, qeveria nuk ka bërë asnjë hap. Në terma konkretë, sipas Tomorrit, përgjatë periudhës 2004-2017, kompania ka fituar 85 milionë euro më shumë nga sa është parashikuar në kontratë si dhe ka shpërndarë dividentë 66 milionë euro më shumë sesa skenari bazë. Fitimet të tilla kanë ardhur falë faktit që Rinasi vijon të mbajë monopolin e fluturimeve në Shqipëri.
“Janë fitime tepër që kanë ardhur për shkak të fluksit dhe tarifat kanë qenë shumë më të larta. Në terma më konkretë sa duhej të ishte tarifa. Eksperti ka rekomanduar përgjysmimin e tarifës. Nëse nisesh nga Rinasi dhe paguan 40 euro tarifa aeroportuale, kjo duhet ulur në 20 euro. Pra automatikisht çmimi duhej të ishte ulur me 20 euro. Çdo moment që kalon është vjedhje e udhëtarëve. Është paaftësi, janë marrëveshje? Kjo mbetet për t’u parë”, tha ai.
Tomorri analizoi edhe menaxhimin e dyqaneve duty free dhe përfshirjen e gjykatës në zgjidhjen e çështjeve që sipas tij kanë ardhur për shkak të veprimeve të gabuara të Ministrisë së Financave.
“Roli i Ministrisë së Financave është licencimi i kompanisë që menaxhon dyqanet Duty Free. Ka qenë një kompani në pronësi të Elona Çaushit. Por vitin e kaluar, koncesionari ka përzgjedhur një kompani tjetër për të menaxhuar dyqanet duty free. Edhe pse kompania e kishte humbur tenderin, Ministria e Financave i ka rinovuar autorizimin. Është bërë qëllimisht apo për shkak të paaftësisë. Por këto veprime të gabuara të Ministrisë së Financave janë atakuar në rrugë gjyqësore. Kjo pati edhe largime deri në nivel zëvendësministrash”, tha ai.
Në lidhje me propozimin e qeverisë për amnistinë fiskale dhe atë të kapitaleve, Tomorri tha se pavarësisht se nuk ka ende një draft konkret, nisma paraqet paqartësi dhe pritet të krijojë pabarazi. Sipas tij, të parët që do të përfitojnë nga kjo nismë janë kompanitë e mëdha.
“Për të gjetur se cilët janë evazorët më të mëdhenj nuk do shkencë. Bizneset më të mëdha janë evazorët më të mëdhej. Nëse ka amnisti, këto do të përfitojnë. Sa do të zgjasë procesi dhe cilat do të jenë procedurat, këto do të mësohen kur qeveria të paraqesë draftin. Tarifa 3-5% e shumës së shlyer. Ka pasur të tjerë që kanë paguar 15% dhe krijohet pabarazi. Qeveria mendon se duke i bërë anonim, ata që kanë fshehur taksat do t’i nxisë të deklarojnë. Por duke qenë kështu, nuk do të dimë kush po përfiton. Është një çmenduri, nuk e di si mund të kalojë një gjë e tillë. Pra, ti aminston ata që kanë shkelur ligjin, por njëkohësisht u ruan edhe anonimatin”, tha ai.



