Eurodeputeti Fredi Beleri ka paditur në Gjykatën Administrative të Apelit KQZ-në lidhur me vendimin që i ndërpreu mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës. Duke folur në Mcn Live Beleri tha se do t’i shkojë deri në fund kësaj beteje ligjore, pasi KQZ ishte në shkelje të ligjit dhe mori kompetenca të Këshillit të Ministrave.
“Vendimet janë bërë brenda afatit, tani mora vendimin e zbardhur, dhe iu drejtova Apelit. Besoj do vërtetohet që më është hequr mandati në mënyrë të padrejtë. KQZ mori kompetenca të Këshillit të Ministrave, është në shkelje të ligjeve, dhe do t’i shkoj deri në fund, edhe nëse mandati do ketë mbaruar. Sipas Kushtetutës dhe ligjit shqiptar heqja e mandatit s’është kompetencë e KQZ-së. Moslejimi i ankimimit në demokraci është problem i madh, është një shkelje. Jam i detyruar të ezaurojë të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare. Është një betejë ligjore që s’e lë. 4 mijë votues duhet të marrin mesazhin që s’mund t’i përbuzë njeri. S’ka ndonjë ndalesë ligjore që të mos jesh eurodeputet dhe kryetar bashkie në të njëjtën kohë. Janë bërë shkelje flagrante në të gjithë procedurën. Leje për t’u betuar s’më dhanë".
I pyetur mbi ndërhyrjet e kryeministrit Rama në pushtetin vendor, Beleri tha se nëse Shqipëria s’respekton ndarjen e pushtetit rrezikon integrimin.
“Janë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për vetqeverisjen vendore. Nuk besoj se një vend i tillë ka vend në BE. Nëse Shqipëria s’respekton ndarjen e pushteteve, rrezikon integrimin. S’ka shtet në BE që kryeministri të bëjë kryetarin e bashkisë, prokurorin, policin. Kushtetuta shqiptare ndalon ndërhyrjen në vetqeverisjen vendore në mënyrë brutale nga kryeministri i Shqipërisë”.



