Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, e gjeti veten dje në qendër të vëmendjes së mediave online pas komenteve të shkëmbyera me aktorin e njohur Robert Ndrenika, lidhur me pjesëmarrjen e këtij të fundit në protestën e PD-së. Në një status në “Facebook”, Çuli shkruan se me Ndrenikën nuk ka pasur përplasje, por ngacmime miqësore.
Ai shkruan se Ndrenika gjithnjë e ngacmon, edhe në jetën e përditshme. Mirëpo, pas kësaj që u raportua si përplasje, në adresë të Çulit kanë ardhur shumë mesazhe me fyerje dhe sharje ndaj tij. Çuli shkruan se kanë arritur deri aty sa ta kërcënojnë se do t’i përdhunojnë vajzën e mitur.
“Miq! Sonte ne faqen time ne FB por dhe ne disa portale dhe ndonje status prej karagjozesh te perhershem, jam share e kercenuar nga nje lukuni banaliteti. Nuk kam pare nje urrejtje te ketij lloji pervecse nga nje kulture tashme e percaktuar talebanizmi politik. Bera nje status ironik per nje djale qe foli dhe shau ne proteste teatrin, shau me mllef dhe pa asnje argument, siç ndodh rendom sot. Kaq! Pas kesaj nuk ka fjale qe permban arsenali i vulgut te rruges qe nuk jam share e kercenuar familjarisht. Pastaj turma shpiku gjoja nje kontradikte timen me aktorin Robert Ndrenika, qe pasi i ben like statusit tim, me ngacmon me nje batute dhe une ja kthyej sic ngacmohemi gjithmone. O tmerr! Pas kesaj dhe vajzen time 6 vjeçe me kane shkruar se do ma lene shtatzane. Dhe perreth shoh se si kenaqen hijenat nga ky horror, qelbesira dhe karagjoze “FB”-je qe te vetmin argetim kane qe te mallkojne jeten e atij tjetrit qe nuk eshte si ata. Si ka mundesi qe e mbollen faren e urrejtjes deri ne masaker. O Zot, ku jetojme! O Zot me ke bashkjetojme!”, shkruan ai.



