Liderët e vendeve të NATO-s, do të mblidhen sot dhe nesër në Vilnius për të trajtuar një sërë çështjesh, vetëm 32 km nga gardhi kufitar i Lituanisë me aleatin rus, Bjellorusinë. Në samit, i cili do të zhvillohet edhe përgjatë ditës së nesërme, do të diskutohen një sërë çështjesh, ku kryefjalë do të jetë lufta në Ukrainë, por edhe ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë në NATO, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash. Ndërkohë ditën e sotme, kryeministri Edi Rama do të niset drejt Lituanisë ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Gjatë qëndrimit në Vilnius, Rama pritet të zhvilloj një takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis. Takimi pritet të fokusohet te marrëdhënia dypalëshe dhe çështja për Fredi Belerin, i cili ndodhet që prej 12 majit në qeli, pasi akuzohet për blerje votash. Sipas raportimeve, ka qenë pala greke, e cila ka pranuar që dy liderët të takohen për të ristartuar bisedimet dhe kontaktet e ndërprera për shkak të fushatës zgjedhore në Greqi por edhe të çështjes Beleri. Ndërkohë ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid. Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion 4000 ushtarë.



