Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me eurodeputeten Isabel Santos dhe me ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Meta shkruan në Facebook se e falenderon Santos për vëmendjen që i ka kushtuar projektit Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cenimit të lirisë së medias në Shqipëri.
Më tej, Meta tha se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Meta thekson se integrimi kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të zhvilloja sot një bashkëbisedim të sinqertë e miqësor me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeten Isabel Santos, dhe ambasadorin e Delegacionit të BE në Tiranë, zotin Luigi Soreca. Një falenderim i veçantë për zonjën Santos, për vëmendjen e posaçme që i ka kushtuar në Projekt Rezolutën për Shqipërinë zgjedhjeve të ardhshme, fenomenit të shpopullimit dhe cënimit të lirisë së medias në Shqipëri. E sigurova se si President i Republikës do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për zbatimin e plotë të të gjitha kushteve, që lidhen me nisjen e negociatave të anëtarësimit. Integrimi europian i Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe ndërtimit të shtetit ligjor me institucione të pavarura dhe funksionale.



