
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e vlerësoi fjalimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Kuvendin e Shqipërisë, duke thënë se ishte një deklaratë me mesazhe të cilat i ka dhënë edhe në adresimet në parlamentet e tjera europiane, qoftë dhe në senate.
Duke folur për MCN Tv, Milo tha se adresimi i tij ndaj Shqipërisë, ishte reflektim i pozitës së Shqipërisë, ku bëri vlerësim shumë të lartë për mbështetjen dhe solidarizimin e Shqipërisë ndaj Ukrainës.
Sipas tij, diçka e tillë është pozitive për Shqipërinë, imazhin e saj si vend kandidat për në Bashkimin Europian por dhe si vend anëtar i NATO-s.
Milo tha më tej se duke pasur parasysh këtë ndjenjë miqësore mes dy popujve, Zelensky kërkoi që Shqipëria të shtojë më tej angazhimin e saj në planin e sanksioneve dhe kërkoi që të mos mirëpriten turistët rusë në Shqipëri.
Është një kërkesë e ligjshme, çdo bllokim që i bëhet Rusisë në pikëpamjen ekonomike dhe tregtare është një kontribut i madh politik dhe ekonomik në adresë të një agresori i cili ka cenuar jo vetëm integritetin territorial të Ukrainës, por të gjitha vendet sovrane për të cilat janë të shenjta parimet e lirisë dhe integritetit.
Mendoj se Shqipëria do veprojë në përputhje me linjën e vendimeve të vendeve të BE. Statusi i vendit kandidat e detyron Shqipërinë të ndjekë vijën europiane në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Shqipëria do i bashkërendojë vendimet e veta edhe për këtë çështje.
Sa i takon deklaratave të ish-Kryeministrit Sali Berisha për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, ai tha se Berisha si gjithnjë hedh shumë hapa përpara në raport me mendimin e përgjithshëm.
Berisha është novator për scoop-e televizive që kërkoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike apo largimin e ambasadorit sovjetik nga Tirana. Ky mendim është pak ekstrem, ne nuk kemi konflikt drejtpërdrejtë të hapur me Rusinë. Kërkesa për të larguar ambasadorët nga vendet respektive, bëhet atëherë kur ka një konflikt të drejtpërdrejtë mes dy palëve dhe shihet si një masë përshkallëzuese për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike në një etapë të dytë më të vonë. Vërtetë jemi vend anëtar i NATO-s, por nuk jemi vend drejtpërdrejtë në luftë.
Ka disa norma të diplomacisë që edhe në rast krizash nuk mund të ndërpriten rrugët diplomatike, pasi kanalet diplomatike luajnë rol të rëndësishëm. Është diplomacia ajo që kërkon të ulë palët në tavolinë edhe zoti Berisha nuk e beson vetë atë që ka thënë. Ai e ka dijeninë se veprime të tilla nuk mund të ndodhin.
I pyetur lidhur me presionin që po ushtrohet ndaj Serbisë për të mbajtur një qëndrim për situatën në Ukrainë dhe a është dëmtuar ndikimi rus në Ballkan, ish-ministri i Jashtëm tha se imazhi i Rusisë në Ballkan dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor është përkeqësuar pas agresionit në Ukrainë.
Sipas tij, Rusia do vazhdojë të humbasë terren në Ballkanin Perëndimor për sa kohë që vlerësohet si palë e humbur.
Ai nënvizoi se e kundërta do të ndodhte nëse Rusia do e fitonte këtë betejë që nuk e ka vetëm me Ukrainën por me gjithë faktorin ndërkombëtar, atëherë mund të inkurajonte qarqe nacionaliste dhe agresive pro ruse që mund të ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor.



