
Europa duhet t’i mbrojë interesat e saj nga politikat amerikane që minojnë sistemin ndërkombëtar të normave. Kështu është shprehur ish-kancelari austriak, Wolfgang Schuessel, në një intervistë për rusen RT.
Schuessel, i cili ka mbajtur edhe detyrën e presidentit të Këshillit Europian, u shpreh se administrata Trump përbën rrezik serioz për normat ndërkombëtare dhe nuk duhet të lejohet të shpërfillë ligjet ndërkombëtare pa u dënuar.
Ai ka kritikuar vendimin e SHBA-ve për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe të ashtuquajturën luftë tregtare që ato kanë nisur ndaj aleatëve perëndimorë. “Europa duhet të ngrihet dhe të mbrojë interesat e veta”, tha ai.
Ai sugjeron që Europa ta kërkojë zgjidhjen përmes organeve ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Botërore e Tregtisë.
Ish-kancelari austriak gjithashtu vuri në dukje se marrëdhëniet SHBA-Evropë mund të japin një mundësi për Brukselin dhe Moskën për të rritur bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të sigurisë.



