Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pritur një delegacion të kryesuar nga Gjeneral Gennaro Capoluongo, drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë italiane, zv/Drejtorin e Shërbimit të bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Kolonel Sandro De Angelis, Drejtuesin e Zyrës Ndërlidhëse INTERFORZE, Giovanni Conti si dhe Drejtuesin e Misionit PAMECA IV, Giorgio Butini.
Siç bëhet e diturnë njoftimin për shtyp, gjatë takimit, ministri Xhafaj parashtroi prioritetet e detyrës së tij si dhe falënderoi palën italiane për kontributin e vazhdueshëm që jep për vendin tonë, veçanërisht mbështetjen ndaj strukturave të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjeneral Capoluongo vlerësoi pozitivisht prioritetet e prezantuara dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ka pasur në këto vitet e fundit me autoritetet shqiptare. Ai, ritheksoi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap dhe me të gjitha mjetet e nevojshme për përmbushjen e angazhimeve, të cilat janë me interes të përbashkët. Ministri Xhafaj theksoi nevojën urgjente të nisjes së operacioneve të përbashkëta në luftën kundër kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe për goditjen e grupeve kriminale në këtë fazë.
U diskutua gjithashtu, nevoja për intesifikimin e shkëmbimet të informacionit në kohë reale dhe pjesëmarrja në hetime të përbashkëta, në mënyrë që lufta kundër kriminalitetit të jetë sa më efikase dhe e koordinuar. Gjeneral Capoluongo, shprehu gadishmërinë edhe për organizimin e trajnimeve të përbashkëta në nivel ekspertësh nga pala italiane, me qëllim rritjen e profesionalizmit në kryerjen e hetimeve nga ana e Policisë së Shtetit me standartet më të larta evropiane. Në takim u shpreh vullneti për konkretizimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve.



