
Një ekip shkencëtarësh në Harvard Medical School kanë zbuluar një mënyrë për të rikthyer dëgjimin. Ata thonë se mund të rigjenerojnë me sukses qelizat e qimeve në veshin e brendshëm që mundësojnë dëgjimin – një trajtim potencialisht novator për këtë dëmtim deri tani të pariparueshëm.
Një punim i ri shkencor i botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, bazohet në punën e kryer në laborator me minjtë.
Studimi mund të shërbejë si bazë për të zhvilluar një trajtim për njerëzit që vuajnë nga humbja e dëgjimit.
"Këto gjetje janë jashtëzakonisht emocionuese, sepse gjatë historisë së zhvillimeve në këtë fushë, aftësia për të rigjeneruar qelizat e qimeve në veshin e brendshëm ka qenë graali i shenjtë," tha ekipi hulumtues i udhëhequr nga Zheng-Yi Chen, profesor i asociuar.
Ndryshe nga disa lloje peshqish, zogjsh ose zvarranikësh, njerëzit nuk e kanë aftësinë për të rigjeneruar qelizat e qimeve, të cilat luajnë rolin e mikrofonëve biologjikë dhe janë përgjegjës për kalimin e sinjaleve zanore nga veshi i brendshëm në tru.
Duke përdorur molekula të quajtura "ARN-të e vogla ndërhyrëse" (siRNA), ekipi ia doli të largonte gjenet që shtypnin aktivizimin e një rruge gjenetike, e cila lejon rritjen e qelizave të qimeve në veshin e brendshëm.
"Mendoni për një frenim kur drejtoni makinën," shpjegoi Chen në deklaratë. "Nëse frena është gjithmonë e shtypur, nuk mund të ecësh përpara. Ne gjetëm një siRNA që mund të heqë frenat në këtë rrugë gjenetike."
Kokteji i ilaçeve e tyre të sapokrijuar hidhet direkt në veshin e brendshëm të minjve të rritur. Studiuesit zbuluan se minjtë ishin në gjendje të rigjeneronin qelizat e qimeve që duken të jenë plotësisht funksionale.
Para se të testojnë trajtimin te njerëzit, studiuesit po planifikojnë ta testojnë atë në kafshë më të mëdha.
Nëse rezulton me sukses, gjetja do të ketë impakt të madh te individët që kanë humbur një pjesë të dëgjimit të tyre.



