Të paktën 37 palestinezë janë vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga agimi. Sipas raportimeve nga mediat e huaj, 11 prej viktimave janë anëtarë të së njëjtës familje.
Burime mjekësore palestineze, bëjnë me dije se zona më e prekur ishte zona jugore e Khan Younis, spitalet e së cilës kanë marrë 23 trupa në orët e fundit.
Në lagjen Al Amal, në pjesën perëndimore të Khan Younis, një sulm në shtëpinë e familjes Kalakh shkaktoi vdekjen e 11 personave, përfshirë dy fëmijë, ndërsa një bombë me dron në zonën Katiba, në qendër të qytetit vrau tetë persona të tjerë.
Për më tepër, një burrë u vra nga zjarri i artilerisë në tendat e personave të zhvendosur në Khan Younis.
Që nga fillimi i muajit, e njëjta zonë ka marrë deri në 12 urdhra evakuimi, duke detyruar zhvendosjen e rreth 250,000 njerëzve për shkak të ofensivës ushtarake të Izraelit.
Ekipet lokale të mbrojtjes civile gjetën gjithashtu tre trupa në Rafah, skaji jugor i Rripit, ku trupat izraelite pretenduan se kishin mundur katër batalionet që përbënin Brigadën Rafah të Hamasit, si dhe kishin shkatërruar rreth 150 tunele në zonë.



