Emisioni "Xhadat" trajtoi sot rastin e Shaqir Vukës, i cili është shpallur debitor nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në një kohë kur në shtëpinë e tij nuk kishte furnizim me ujë. Në vitin 2015 ai mësoi se ishte debitor që prej vitit 2008, por në një apartament në rrugën "Ndre Mjeda", ku nuk kishte banuar kurrë.
Ndërkohë Vuka tregon se u sorollat për 3 vite zyrave të UKT, derisa në 2018-n i thanë se duhej t'i drejtohej gjykatës për të marrë një zgjidhje për rastin e tij.
Gjykata e Shkallës së Parë në janar të 2019-s i dha të drejtë Shaqir Vukës, duke i shpallur të pavlefshme faturat nga viti 2008-2018 dhe i kërkoi shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime Tiranë, që t'i ndryshonte adresën e shtëpisë qytetarit. Mirëpo ky vendim u apelua nga UKT dhe kaloi sërish në gjykim. Gjykata vendosi që të anulonte faturat nga viti 2008-2016 dhe t'i linte në ngarkim si pagesë vetëm tarifat dhe taksat nga Bashkia. Ndërkohë ky vendim është kundërshtuar nga UKT dhe çështja është sërish në gjykim.
"Xhadat" shkoi në adresën ku është faturuar Shaqir Vuka dhe zbuloi se atje banonte një person tjetër. Po ashtu, "Xhadat" ju drejtua drejtorisë së UKT për të marrë informacion, por askush nuk u përgjigj, me pretendimin se duhej të dërgohej një kërkesë zyrtare për informacion.
Kështu, "Xhadat" shkoi pranë pikës së UKT ku Shaqir Vuka banon dhe u interesua për çështjen. Përgjegjësi i faturimit u shpreh se për periudhën 2008-2018 ku Shaqir Vuka rezulton debitor i takon gjykatës të marrë vendimin. Por duke qenë se Shaqir Vuka vazhdon të ketë ujë në shtëpi dhe të faturohet, punonjësi i UKT tha se ai duhet të paguajë të gjitha faturat nga 2019 e deri më sot dhe vetëm në këtë mënyrë mund t'i zgjidhet i gjithë problemi.



