Analisti Mustafa Nano thotë se kërkesat e protestës që po mbahet prej tre javësh para Kryeministrisë duhen marrë parasysh nga Rama. Në MCN TV, Nano tha se stina e nxehtë mund ta tkurrë protestën, por ajo tashmë e ka zgjuar shoqërinë shqiptare dhe ka ngjallur shpresë.
Nano theksoi se përshkallëzimi mund ta shkatërrojë protestën.
Janë qytetarë paqësorë. Është një protestë me simbolikën e flamingos, sheh fytyra rinore, familje me fëmijë. Është një protestë edhe edukative. Prisja që kreu i shtetit të bënte thirrje. Nëse ata nuk ulen, plotëso kërkesat. Kërkesa e parë, ajo për Ramën, duhet marrë në konsideratë.
Por protestuesit duhet të kenë parasysh se vendimi për një qeveri tjetër do merret nga Parlamenti. Përsa kohë që atje ka një maxhorancë që është në gjendje të zgjedhë një kryeministër, nuk mund t’i imponohesh me ultimatume.
Nëse kalohet në mosbindje civile, shkatërrohet protesta. Rama ka frikë një protestë si kjo me shifra edhe më të mëdha. Nëse ka sjellje të dhunshme, atëherë do të reduktohet numri. Do ikin familjet, distancohen ndërkombëtarët. Pra nëse ka një mënyrë për ta prishur protestën, është ta përshkallëzosh atë.
Unë tani e shoh si periudhë të keqe për protestën këtë, sepse nisin pushimet. Por do vijë vjeshta prapë dhe këta njerëz mund të angazhohen prapë. Këta njerëz do të kenë kohë t’i mendojnë gjërat më mirë. P.sh. një lloj spontaniteti që ka protesta. Nuk mund t’i jepet mikrofoni kujtdo.
Kjo protestë ka zgjuar shoqërinë shqiptare. Në pritshmëritë e mia nuk ka qenë ideja e një proteste të tillë. Jam i befasuar në kuptimin pozitiv nga kjo protestë. Kjo gjeneratë do të dijë që kauzën e vet ta përfaqësojë edhe në forma të tjera. Gjenerata e re për herë të parë ka ngjallur shpresë te shqiptarët.
Gjeneratat e reja janë aty, janë syçelëta dhe nuk do të heshtin më.



