
Luftëtarët talibanë kanë shpërndarë dhjetëra protestuese femra në Kabul, pothuajse një vit pasi grupi militant mori pushtetin. Rreth 40 gra marshuan nëpër kryeqytetin afgan gjatë së shtunës duke kërkuar të drejta, përpara se talibanët t’i shpërndanin ato, duke qëlluar në ajër.
Protesta vjen pasi që nga pushtimi i talibanëve, të drejtat e grave janë kufizuar drastikisht.
Protestueset brohorisnin kërkesa për “bukë, punë dhe liri”, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “15 gushti është një ditë e zezë”, një referencë për ditën kur talibanët pushtuan Kabulin në vitin 2021.
Ata nuk na rrahën shumë këtë herë. Vepruan ndryshe nga protestat e mëparshme kur na rrahën. Ata qëlluan në ajër.
Edhe pse kemi frikë se dolëm për të mbrojtur të drejtat e vajzave, në mënyrë që të paktën talibanët të hapin shkolla për to.
Kështu tha një nga protestueset për BBC. Në një vit që kur talibanët u kthyen në pushtet, kanë lëshuar urdhra të ndryshëm që kufizojnë lirinë e grave, duke i ndaluar ato nga shumica e punëve qeveritare, arsimi i mesëm dhe që të udhëtojnë më shumë se 70 km pa një kujdestar mashkull.
Në maj, militantët dekretuan se gratë afgane do të duhet të veshin mbulesën islamike të fytyrës dhe nëse një grua refuzon të pajtohet me këtë rregull, kujdestarët e saj meshkuj mund të dërgohen në burg për tre ditë.
Afganistani është i vetmi vend në botë që zyrtarisht kufizon arsimin sipas gjinisë, një pikë e madhe pengese në përpjekjet e talibanëve për të fituar legjitimitet ndërkombëtar.
Vajzave u është ndaluar të ndjekin arsimin e mesëm, ministria për çështjet e grave është shpërbërë dhe në shumë raste gratë nuk lejohen të punojnë.



