
Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka dekretuar ndryshimet në ligjin e vettingut në Policinë e Shtetit duke e rikthyer për shqyrtim. Kësisoj, Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së republikës dhe shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat në ministrinë e brendshme”, pra vettingun në polici. Në dekretin e tij arsyetohet se ndryshimet e kërkuara në ligj më shumë sesa zvogëlimin e kostove financiare për realizimin e këtij procesi, synojnë kontrollimin e këtij procesi nga SHCBA.
“Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës, Këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimi i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpërdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë.Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht.
Edhe nëse punonjësit e Shërbimit të Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave do të kalojnë vlerësimin kalimtar gjatë fazës së parë në cilësinë e subjekteve përparësore, sërish nuk ndryshon fakti ligjor i statusit të kësaj strukture, ku në nenin 8 të ligjit nr. 70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme” ku citohet: “Shërbimi është person juridik publik, strukturë e veçantë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit”, duke sjellë kështu dhe ndikimin e drejtëpërdrejtë politik në këtë strukturë”, sqarohet në dekret.
Presidenti sqaron se “Mekanizmi i ri i miratuar në ligjin nr. 20/2019, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri”.



