
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka larguar nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj.
Hajdarmataj do të vijojë qëndrimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda por në pozicionin e prokurorit. Në vend të tij kryeprokurorja Arta Marku ka komanduar prokuroren Donika Prela.
"Prokurorja e Përgjithshme Marku njofton emërimin e Znj. Donika Prela si kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda. Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të cështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Marku", thuhet në një reagim për mediat.
Prokurorja Prela, që prej muajit janar mbante detyrën e kryeprokurores në Prokurorinë e Durrësit. Ndërsa Hajdarmataj është njëri prej prokurorëve që hetonte dosjen "Habilaj-Tahiri".



