Vendosja e billbordit “Liria ka emër” në Graçanicën e banuar me serbë në Kosovë, ka ngritur reagime të shumta ditëve të fundit, derisa është kërkuar që ai të hiqet edhe nga kreu i kësaj komune, duke u cilësuar si provokim për banorët.
Ndërkohë në orët e para të mëngjesit të sotëm, këtij billbordi i është vënë flaka. Në vend të ngjarjes ka dalë policia që e ka rrethuar me shirit vendin ku ndodhet ai billbord.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ende nuk dihen autorët e djegies së billbordit në Graçanicë. Megjithatë, hetimet kanë nisur.
Zëdhënësja për informim në PK, Flora Ahmeti, tha se incidenti ka ndodhur herët në mëngjes.
“Sot kemi pranuar informatën lidhur me dëmtimin e një tabele reklamuese (Billboard) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit”, tha Ahmeti.
Tutje, ajo shtoi se aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast.



