Redaksionale
“Një dështim të inteligjencës europiane dhe strategjisë për të luftuar terrorizmin”. Kështu e kanë analizuar në të nxehtë mediat e kontinentit katastrofën e Brukselit.
ISIS nëpërmjet Amak News agency, e cila është një media pranë organizatës terroriste, ka marrë përsipër sulmin. Në tekstin e marrjes përsipër të atentatit, ISIS premton operacione të tjera në Europë.
Në një komunikatë të publikuar në platformën Telegram, të cilën e përcjell e përditshja egjiptiane Al Vatan, ISIS bën të ditur se ky operacion është kryer në një shpejtësi marramendëse por nuk jepen detaje.
Analistë të shumtë të sigurisë bëjnë të ditur se hakmarrja e ISIS ka ardhur pas suksesit që po arrijnë forcat e koalicionit në Siri dhe Irak ku ndodhet armata tokësore e kalifatit të vetshpallur. Ndërkaq organizata e tmerrshme terroriste ka ndërmarrë një strategji të ngjashme me atë që Al Qaeda kreu pas pushtimit të Afganistanit dhe Irakut.
Sulme në Europë nga strukturat e ISIS të shtrira në zemrën e Bashkimit Europian si Francë dhe Bruksel. Në këto shtete ka një numër të madh qytetarësh me origjinë nga vendet e Magrebit dhe Lindjes së Mesme.
Por shumë analistë theksojnë se të gjitha këto struktura kanë vepruar nën hundën e autoriteteve policore europiane të cilat nuk kanë qenë në gjendje jo më të parashikojnë por as të kontrollojnë lëvizjen e guerilasve të çmendur por të mirëpërgatitur të ISIS në Europë.
Ndërkaq poicia belge ka ndërmarrë një operacion të mënjehershëm për të kapur autorët sipas teorisë së pistës së nxehtë për të mos i lënë të largohen.
