Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Mbi këtë performancë ekonomike diskutuan pedagogu i ekonomisë Joni Myshketa dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko në emisionin "MCN Economy", duke analizuar faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje dhe sfidat që pritet të përballet ekonomia në vijim.
Pedagogu i ekonomisë, Joni Myshketa, u shpreh se rritja ekonomike vijon të mbështetet kryesisht te sektori i ndërtimit, një model që sipas tij nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm.
Zhvillimi ekonomik në Shqipëri po mbështetet kryesisht te sektori i ndërtimit, i cili ka njohur një lulëzim të madh gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ky sektor shoqërohet edhe me problematika të shumta, duke nisur nga akuzat për favorizimin e investimeve përmes statusit të investitorit strategjik dhe lejeve të ndërtimit të miratuara në nivelet më të larta të qeverisjes, deri te pikëpyetjet mbi burimin e fondeve që financojnë këto investime. Nuk është rastësi që institucione dhe agjenci ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për rrezikun e pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit dhe betonizimit.
Sipas tij, ndërkohë që ndërtimi ka marrë peshën kryesore në ekonomi, sektorët prodhues vijojnë të mbeten të neglizhuar.
Nëse i referohemi bujqësisë dhe sektorëve të tjerë prodhues, të cilët janë thelbësorë për zhvillimin e një ekonomie të shëndetshme, mbështetja e shtetit mbetet e pamjaftueshme. Performanca e institucioneve në këtë drejtim është shumë e dobët. Fermerët dhe sektori i peshkimit përballen me vështirësi të shumta dhe nuk marrin mbështetjen e nevojshme, ndërkohë që në vendet e rajonit këta sektorë subvencionohen dhe konsiderohen shtylla të rëndësishme të ekonomisë. Edhe pse përfaqësojnë një pasuri natyrore dhe ekonomike për vendin, në praktikë ndodh e kundërta.
Myshketa u ndal edhe te ndikimi i zhvlerësimit të euros, duke theksuar se kjo situatë ka përkeqësuar klimën e biznesit, veçanërisht për industrinë fason.
Rënia e euros ka sjellë përkeqësim të klimës së biznesit, kryesisht në sektorin e fasonerisë. Nga ana tjetër, po shohim edhe një tkurrje të industrisë së ndërtimit, e lidhur me çmimet e larta dhe shpesh pa kriter të apartamenteve. Për shumë familje të reja është bërë pothuajse e pamundur blerja e një banese. Fluksi i ndërtimeve pa kriter po sjell pikërisht fazën e rënies së kësaj industrie, e cila tashmë po zhvillon aktivitetin e saj në kushte gjithnjë e më të pasigurta.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko argumentoi se pjesa më e madhe e rritjes ekonomike nuk është prodhuar nga sektori privat.
Mbi 60% e rritjes ekonomike ka ardhur nga sektori publik, ndërsa sektori privat ka kontribuar me vetëm rreth 1.2%. Kjo është një shifër shqetësuese, sepse bëhet fjalë për para që hyjnë ose dalin përmes vendimeve të qeverisë dhe jo si rezultat i funksionimit organik të ekonomisë. Ajo që duhet të na shqetësojë është pikërisht ekonomia reale.
Sipas tij, ekonomia është ndikuar edhe nga pasojat e krizës energjetike dhe forcimi i lekut përballë euros.
Fillimisht ishte kriza që prodhoi lufta në Lindjen e Mesme, e cila goditi sektorin e energjisë dhe të naftës, duke reflektuar më pas në ngadalësimin e ekonomisë. Më pas erdhi forcimi i lekut dhe rënia e euros, të cilat kanë ushtruar presion mbi sektorët eksportues. Këta janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në dobësimin e aktivitetit ekonomik privat.
Eksperti evidentoi gjithashtu shenjat e para të ngadalësimit të sektorit të ndërtimit, veçanërisht në kryeqytet.
Edhe ndërtimi po shfaq shenja të qarta ngadalësimi. Nëse krahasojmë tremujorët e fundit, pesha e këtij sektori nuk kalon më 1% në rritjen ekonomike, ndërkohë që më parë ishte vazhdimisht mbi 1.2%. Jo çdo leje ndërtimi që është dhënë po arrin të ekzekutohet. Që nga viti 2025 dhe tani edhe gjatë vitit 2026, shumë projekte kanë mbetur pa u realizuar. Kjo tregon se industria ka hyrë në një fazë tërheqjeje.
Ai shtoi se ngadalësimi i ndërtimit në Tiranë mund të jetë treguesi i parë i një cikli rënës për sektorin.
Shenjat e para të një recesioni brenda industrisë po shfaqen në kryeqytet. Aktiviteti vijon ende në zonat bregdetare, por tërheqja e industrisë nga Tirana dhe mungesa e të njëjtit fluks investimesh tregojnë se sektori ka hyrë në fazën e dytë të ciklit të tij. Besoj se ky proces do të vazhdojë për një periudhë të gjatë, derisa të mbyllet cikli aktual dhe të nisë një cikël i ri. Kjo do të ketë pasoja edhe për tregun e punës, pasi rënia e aktivitetit do të ndikojë drejtpërdrejt te punësimi në ndërtim.



