
Vendi do të përjetojë edhe dy ditë me mot të ngrohtë dhe temperatura të larta, përpara se reshjet e shiut të rikthehen gradualisht duke shënuar fillimin e vjeshtës meteorologjike.
E ftuar në emisionin “MCN Live”, meteorologia Anra Gjoni bëri të ditur se të martën dhe të mërkurën vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të ngrohta, me temperatura që do të jenë mbi mesataren për këtë periudhë.
E enjtja sjell ndryshim të motit me reshje lokale shiu, ndërsa fundjava pritet të ketë reshje më të përhapura dhe rënie graduale të temperaturave,.
Parashikimi i motit sipas zonave: zonat bregdetare: Temperaturat do të luhaten nga 17°C në mëngjes deri në 26°C në mesditë. Zonat e ulëta: 17°C - 29°C dhe zonat malore: 12°C - 26°C
Nga dita e enjte parashikohet një rënie graduale e temperaturave, ku në zonat e ulëta ato pritet të zbresin deri në 25°C.
Fundjava do të shoqërohet me reshje më të konsiderueshme, veçanërisht të shtunën, ndërsa e premtja dhe e diela mbeten më të paqëndrueshme dhe me mot të ndryshueshëm.



