Zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në Pantanal të Brazilit, zonën më të madhe tropikale në botë.
Pantanal është shtëpia e jaguarëve dhe lundërzave gjigante të lumenjve.
Rreth 32 mijë hektarë janë shkatërruar deri më tani nga zjarret në shtetin e Mato Grosso do Sul, raportojnë mediat lokale.
Ekspertët e klimës thonë se sezoni i zjarreve të këtij viti ka nisur më herët dhe është më intensiv se në vitet e kaluara.
Zjarrfikësit thanë se përpjekjet e tyre për të shuar flakët po pengoheshin nga erërat e forta gjatë fundjavës. Rajoni ka pasur më pak shi se vitet e tjera, gjë që e ka bërë më të lehtë përhapjen e zjarreve.
Numri i zjarreve nga fillimi i vitit deri më 9 qershor ka qenë 935% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas shifrave nga Instituti Kombëtar i Brazilit për Kërkimet Hapësinore (INPE).
Rritja është tejet shqetësuese pasi sezoni i lartë i zjarreve nuk do të fillojë deri në korrik.

Autoritetet shtetërore të Mato Grosso do Sul shpallën gjendjen e jashtëzakonshme mjedisore në muajin prill, duke thënë se nivelet e ulëta të reshjeve po krijonin kushte ideale për zjarret.
Numri i zjarreve deri më tani në 2024 është më i larti që nga viti 2020, i cili ishte viti më i keq i regjistruar për sa i përket zjarreve Pantanal. Në atë vit, rreth 30% e Pantanalit u konsumua nga zjarri.
Diferenca në numrin e shpërthimeve të zjarrit deri më tani këtë vit krahasuar me vitin e kaluar tashmë është marramendëse.
Ndërmjet 1 janarit dhe 9 qershorit 2023, u raportuan 127 zjarre. Në të njëjtën periudhë të këtij viti, ky numër ishte 1315.
Vinicius Silgueiro nga OJQ-ja lokale Instituto Centro da Vida i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “ajo që është më shqetësuese është se edhe në sezonin e shirave, kemi pasur këtë rritje të zjarreve”.
Silgueiro paralajmëroi se situata ndoshta do të përkeqësohej më tej në kulmin e sezonit të thatë në gusht dhe shtator.
Javën e kaluar, qeveria federale e Brazilit njoftoi se do të punonte së bashku me qeveritë shtetërore të Mato Grosso do Sul dhe Amazonia për të luftuar zjarret.
Ministrja e Mjedisit, Marina da Silva tha se ishte thelbësore t’u përgjigjeshim më shpejt zjarreve, duke bërë gjithashtu më shumë për të parandaluar shpërthimin e tyre në radhë të parë.



