Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjes që ka ndodhur mesditën e sotme në sheshin “Skënderbej”, duke shprehur mirënjohje për gjestin e të riut Klodian Elqeni i cili ndërhyri për të neutralizuar 32-vjeçarin Arben Mema teksa bënte veprime të pakontrolluara me automjetin e tij.
Meta shprehet se Klodiani shpëtoi sot jetën e dhjetëra qytetarëve duke parandaluar një ngjarje të rëndë. Ai shton se pikërisht në ditën e zgjedhjeve, akti i tij është shembull frymëzues për të gjithë.
“Falënderim dhe mirënjohjen më të thellë për aktin heroik të Klodianit, i cili shpëtoi sot jetën e dhjetëra qytetarëve dhe parandaloi një ngjarje tepër rëndë në Sheshin “Skënderbej”.
Sot në Ditën e Sovranit, të Demokracisë dhe të Qytetarisë, akti i tij është një shembull frymëzues për të gjithë!”, ka shkruar presidenti Ilir Meta.
Kujtojmë se më herët, pak minuta pas incidentit i riu u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Ishte ky i fundit ai që postoi foto me të riun teksa vendos vetëm disa simbole si dixhiturë.




