Aeroporti i Vlorës në ngërç, MIE nis procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare

Aeroporti i Vlorës në ngërç, MIE nis procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pas mosrespektimit të afateve të përcaktuara në marrëveshje dhe vonesave të krijuara në përfundimin e projektit.

 

Sipas burimeve për MCN, procedura është iniciuar me qëllim zhbllokimin e situatës së krijuar në kantier, ku punimet nuk kanë përfunduar brenda afateve të parashikuara kontraktuale.

 

Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës ishte planifikuar të përfundonte në shkurt të vitit 2026. Pas tejkalimit të këtij afati, kontrata parashikonte edhe një periudhë shtesë 90-ditore për përmbylljen e punimeve. Megjithatë, edhe pas këtij afati, projekti vijoi të mbetej i papërfunduar.

 

Një nga shkaqet kryesore të bllokimit të punimeve lidhet me mosmarrëveshjet mes dy kompanive koncesionare, “MABCO”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, dhe “2A Group”, me drejtues Valon Ademi.

 

Përplasjet mes dy palëve kanë nisur prej fundit të vitit të kaluar dhe kanë kaluar edhe në procese ligjore, kryesisht për çështje që lidhen me pronësinë dhe përqindjen e aksioneve në koncesionin e Aeroportit të Vlorës.

 

Në muajin maj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, vendosi një afat 30-ditor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes kompanive, me qëllim vijimin e projektit. Por pavarësisht këtij afati, konflikti mes koncesionarëve nuk u zgjidh dhe situata vijoi të përkeqësohej.

 

Për këtë arsye, ministria ka nisur procedurat për ndërprerjen e kontratës koncesionare, një mundësi që parashikohet edhe në pikën 15.4, shkronja “D”, të marrëveshjes, në pjesën që lidhet me zgjidhjen e parakohshme të kontratës.

 

Punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës nisën në nëntor të vitit 2021. Sipas kontratës koncesionare, aeroporti duhej të përfundonte brenda rreth tre viteve, ndërsa nisja e operimeve ishte parashikuar gjatë vitit 2025.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy