Regjistrimi i diasporës në MV, Selami: Shtatori do shënojë një census të përgatitur mirë

Regjistrimi i diasporës në MV, Selami: Shtatori do shënojë një census të përgatitur mirë

 

Në Maqedoninë e Veriut do të realizohet në shtator regjistrimi i popullsisë, ndërkohë që po vijon regjistrimi i diasporës apo i shtetasve që jetojnë jashtë kufijve shtetëror.

Në një lidhje Skype për MCN TV, zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave në Maqedininë e Veriut, Ilmi Selami tha se fundi i shtatorit do të shënojë një census të përgatitur mirë. Ai theksoi se pas Vitit të Ri pritet të dalin rezultatet e sakta të këtij procesi, në bazë të të cilit do të ndërtohen edhe politikat në shoqëri.

Intervista e plotë e Selamit:

Z.Selami, censusi pati një shtyrje në muajin Prill për shkak të pandemisë. Si mendoni se do të ecë ky proces tani?

Selami: Censusi për shkaqe të pandemisë u shty për në shtator duke menduar se situata do të përmirësohej, por terreni nuk tregon këtë. Shifrat flasin për infektime të konsiderueshme. Jeta vazhdon dhe ne nuk mund të ndalim jetën për shkak të pandemisë. Censusi duhet të vazhdojë dhe ne këtë po bëjmë. Jemi duke e finalizuar dhe shtatori do shënojë një census të përgatitur mirë.

Regjistrimi i diasporës nisi me një fushatë të fuqishme që përfshiu edhe liderët e Shqipërisë dhe në veçanti të Kosovës, të cilët bënë thirrje për regjistrimin e çdo shqiptari që është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe që jeton jashtë kufijve të saj. Si i janë përgjigjur këta shtetas këtij procesi dhe sa është numri deri tani?

Selami: Procesi i vetëregjistrimit është një mundësi që i jepet diasporës për herë të parë. Procesi duhej të mbaronte në prill dhe ata kishin vetëm 50 ditë kohë për vetëregjistrim dhe pati ngarkesë. Arritëm në 50 mijë regjistrime në një ditë. Kur u bë shtyrja për në shtator, nga një proces sprint u fut në proces maratonë që do vazhdojë deri më 30 shtator edhe pse intensiteti është më i vogël se në prill. Ishte e pritshme rritja e numrit të të regjistruarve dhe procesi do të intensifikohet. Unë kam bërë thirrje dhe apele për diasporën të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u regjistruar dhe për të parë sa njerëz janë në diasporë, vendet ku janë dhe cilësinë e jetës së tyre. Gjithmonë është luajtur me shifrat dhe tashmë është koha të dalin shifrat e sakta.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001. Po me ndryshimet kushtetuese, si jane regulluar të drejtat e tyre në bazë të përqindjes së tyre?

Selami: Për fat të keq gjithandej ku ligjet bazohen në numra dhe jo në frymë që kanë nevoja në jetën e përditshme kështu ndodh edhe në MV ku të drejtat varen nga njerëzit. Shqiptarët duhet të evidentohen aq sa janë. Të drejtat te ne realizohen në bazë të shifrave dhe cdo e drejtë shikohet nëse jemi mbi 20 %. Shpresoj të jemi dhe më shumë. Realizimi i të drejtave në bazë të shifrave nuk është i drejtë, të drejtat janë të njerëzve.

Z. Selami Regjistrim i fundit në Maqedoninē e Veriut është mbajtur në vitin 2002 dhe shqiptarë sipas statistikave ka 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 2 milionë. Por partitë shqiptare kanë pretendime se numri i shqiptarëve është më i lartë.

Selami: Përderisa nuk kemi pasur regjistrime në MV gjithmonë do ketë palë që do manipulojnë me shifra duke dashur të sulmojnë tjetrin dhe shqiptarët kanë qenë të dëmtuarit, por tashmë është dhënë shansi për regjistrim kualitativ. Tani duhet vetëm pak durim derisa të mbarojë procesi dhe pas vitit të ri do të shihet realiteti dhe në bazë të tyre do ndërtohen edhe politikat në shoqëri.

Ndërkohë z. Selami, Partitë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE dhe “E Majta” pretendojnë se me përfshirjen në regjistrim të diasporës do të ndryshohet përbërja etnike e popullatës në favor të shqiptarëve.

Selami: Kjo është ajo që po them, janë gjëra që përsëriten kur e kërkon nevoja. Një nga kërkesat për t’u shtyrë në prill ishin shifrat. Shqiptarët nuk i pengon një popullsi tjetër, ashtu nuk duhet të pengojë edhe numri i shqiptarëve të tjerët. Opozita më e madhe maqedonase kërkon mënyra se si të ushtrojë këtë proces, ne kërkojmë edhe praktikën në terren që ky proces të dalë si i tërë. Një regjistrim i suksesshëm është në të mirë të të gjithëve.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy