Analisti dhe gazetari, Mustafa Nano, thotë se nuk i takon kreut të shtetit të vërë në diskutim legjitimitetin e Kuvendit, përsa kohë ka dekretuar ligje të miratuara prej tij. Në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se Parlamenti aktual mund të mos ketë autoritetin për ndryshime kushtetuese, por legjitimiteti i tij nuk mund të vihet në diskutim.
“Ky Parlament është legjitim, sa edhe presidenti vetë. Nuk është parlamenti i duhur për të bër ndryshime kushtetuese. Por është parlamenti legjitim. Nuk i ka hije kreut të shtetit të vërë në diskutim legjitimitetin e Kuvendit. Ai vetë ka dekretuar ligje të votuara nga ky Parlament. Parlamenti nuk ka autoritetin për të bërë ndryshime kushtetuese, por ka legjitimitetin”, tha ai.
Nano shtoi se kjo reflektohet edhe në qëndrimin e ndërkombëtarëve.
“Për herë të parë kemi disa zërat ndërkombëtarë që janë kritikë ndaj Ramës. Në këtë pikë, Rama mund të jetë duke përuruar një epokë të vështirë në marrëdhëniet me ndërkombëtare. Ata besojnë se Parlamenti është legjitim, prandaj hezitojnë”, tha Nano.



