Duke folur në MCN Live politologu Ilir Kalemaj e konsideroi se të tepruar optimizmin e qeverisë në raport me deklaratat e SPAK, si dhe antagonizmin e disa aktorëve të opozitës, që denigrojnë institucionin apo Altin Dumanin.

"Këto ndarjet binare dhe polarizuese në politikën shqiptare nuk janë adekuate. Z.Dumani ka thënë dekonspirim i aksioneve nga zyrtarë të Policisë së Shtetit. Ky s’është kompliment për qeverinë. Na ka thënë që kanë ngarkuar me 200 punë. Ka thënë që mbulojmë edhe akuza që janë nën 50 mijë lekë, duke çuar në shpërdorim të burimeve njerëzore vet SPAK-u. Kanë hedhur insinuata që shpërdorimi detyrës mund të kalojë në kompetencë të prokurorive të rretheve, që e dobëson SPAK-un. 90 për qind e të akuzuarve nga SPAK-u janë nga ana e qeverisë. Profili më i lartë politik nga opozita është z.Beleri! Është i tepruar optimizmi i qeverisë, por edhe antagonizmi i disa aktorëve të opozitës që denigrojnë SPAK-un dhe kreun e tij me një gjuhë shpesh herë personale, dhe aspak të përshtatshme”.
Duke folur për Kodin Zgjedhor, Kalemaj vë në dukje se PS nuk lejon asnjë instrument që lejon rotacionin dhe garën politike.
"Nuk mundet Shqipëria kaq e vogël të rishpikë sisteme që s’janë në frymën e demokracisë dhe të marrë një model spanjoll që ta ndajë në 12 qarqe, dhe të synojë bipartizmit. Janë përpjekje e forca të mëdha politike për të nxjerrë jashtë loje të vegjlit. A u rrit cilësia parlamentare? Jo. A u rrit cilësia e përfaqësimit? Jo. Është kryetarokracia, ku ata i binden vetëm një personi. Opozita ka kërkuar koalicionet e përbëra, listat e hapura, votën e diasporës. Por çfarë bën mazhoranca, votën e diasporës s’do ta lejojë, s’lejon listat e hapura sepse thotë se herësin do ta ulim, nuk lejon që të bëhet një zonë e vetme zgjedhore, apo 3-4 qarqe, s’lejojnë koalicionet e përbëra. Pa lejuar asnjë nga instrumentet që lejojnë rotacionin, jo vetëm këtë, por garën politike. Pse ka frikë PS?!”
Kalemaj tha që PD duhet të vijë me një ofertë të re në zgjedhje, ku të ketë frymë dhe figura të reja.
“Të prezantosh të njëjtën ofertë politike pas 10 vitesh, nuk pret të kesh ndonjë produkt elektoral. E vetmja mundësi që opozita të arrijë të triumfojë, përveç programin se programin pak veta e lexojnë në Shqipëri, është fryma, energjia, që mund të përcillet përmes figurave të reja, të pakonsumuara. Figurat mund të gjenden, dhe mund të jenë një ndërthurje mes ekspertizës, botës akademike dhe figurave politike”.



