
Xhuljo Vrenozi është një nga boksierët shqiptarë që po korr sukses edhe jashtë Shqipërisë si profesionist. Kampion i niveleve të larta, Vrenozi ka arritur të fitojë titullin prestigjioz “WBA” pas një ndeshjeje të fuqishme, ku mposhti një boksier spanjoll pas 10 raundeve.
Në një intervistë për programin “Zgjohu me MCN”, Xhuljo ka shpjeguar rrugëtimin e tij drejt këtij titulli të rëndësishëm.
Kjo ka qenë ndeshja ime e fundit, që e zhvillova një javë më parë.
WBA është një nga federatat më të njohura në botë, një nga ato që ka krijuar Kampionatin Botëror së bashku me tre të tjera. Sot, unë përfaqësoj Shqipërinë në këtë nivel.
Kam pasur mundësinë të zgjidhja tituj të tjerë, por e mendova që të synoja një titull serioz dhe prestigjioz, dhe gjithmonë këtë e kam pasur si synim.
Nuk është e lehtë të arrish deri këtu. Për të konkurruar për një titull të tillë, duhet të kalosh shumë ndeshje dhe fitore, dhe kur mbledh pikët e nevojshme, mund të të jepet mundësia për ta sfiduar kundërshtarin. Kundërshtari gjithashtu duhet të plotësojë kushte dhe kritere.
Vrenozi tregon se që në momentin që iu propozua kundërshtari, e kuptoi që do të ishte një ndeshje e fortë, por kishte besim të plotë te vetja.
Kisha besim që do ta fitoja, dhe isha i sigurt që do ta mundja edhe me nokaut, qoftë në raundin e parë apo të dytë. Pavarësisht kësaj, e mbylla ndeshjen me pikë pas 10 raundeve. Arbitrat dhe tifozët ishin të pranishëm, por unë isha disi i hutuar në raundin e parë.
Nga raundi i dytë deri në fund, dominova ndeshjen dhe isha shumë përpara në pikë. Në raundin e fundit, e dija që nuk kishte rrezik dhe nuk e mora shumë në dorë.
Boksieri Vrenozi thotë se e nisi karrierën e tij në boks që 11 vjeç, duke përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë në kompeticione olimpike dhe botërore.
Kam pasur ndeshje me shumë kundërshtarë, disa kanë përfunduar që në raundin e parë, madje në disa raste vetëm pas një minute boks.
Kam 130 ndeshje, e kam nisur që 11 vjeç, dhe kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë kompeticione ndërkombëtare.
Gjatë karrierës sime, kam pasur shumë kundërshtarë të fortë, por kam pasur mundësinë të boksoj në shtete që janë lider në këtë sport.



