
Situata në qarkun e Shkodrës vijon të paraqitet e rënduar si pasojë e reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Mësohet se në këtë qark është rritur niveli i prurjeve të lumenjve dhe është bllokuar rruga e Muriqan -Goricë, ndërsa rruga e Obotit nuk kalohet as me makina të ushtrisë. Ndërsa në Dajç, ka një rritje të sipërfaqes së përmbytur dhe prezencë më të madhe uji rrotull banesave. Për këtë arsye, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi në letrën drejtuar Prefektit të qarkut Shkodër, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për Njësinë Administrative Ana e Malit dhe Dajç.
“Kërkohet që nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë të ndërhyhet për marrjen e masave për pastrimin e “përroit të kufirit’ Muriqan në Nj. A Ana e Malit. Kërkohet mbështetje me bazë ushqimore për gjënë e gjallë ( koncentrat) për NJ.A. Ana e Malit , Dajç dhe Rrethina për një sasi 500 ton”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Situata në qarkun Lezhë
Edhe në Lezhë ka patur problematika përsa i përket reshjeve intensive që kanë rënë gjatë orëve të fundit në vend. Nga raportimi i autoriteteve vendore, në shkallë qarku, si pasojë e reshjeve, janë përmbytur rreth 130 ha, sipërfaqe të tokës bujqësore, këto në zona depresive, konkretisht;
-në bashkinë Lezhë, rreth 100 ha, në ish-kënetën Torovicë;
-në bashkinë Kurbin, rreth 30 ha, në ish-kënetën Gjorm;
-Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave;
-Rezervuarët nuk paraqesin problem, janë në monitorim.
-Lumenjët Drin, Gjadër, Mat e Drojë, kanalet e ujërave të larta ato të dyta dhe të treta, kanë një rritje të nivelit të ujërave në rreth 30-50 cm, por pa probleme.
-Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, është pa problem.
-Rrugët nacionale, rurale e bashkiake janë të kalueshme.
-Strukturat e MC, janë në ndjekje të situatës.



