
Sot është zhvilluar seanca përfundimtare e gjyqit të Zhaklina Peto kundrejt KED-së në Gjykatën Administrative të Apelit. Burime për MCN TV konfirmojnë se Gjykata ka vendosur në favor të Zhaklina Petos për këtë çështje të rëndësishme që ka të bëjë me plotësimin e vendeve të lira të Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se Zhaklina Peto ka aplikuar në vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë në vitin 2017. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) më 09.09.2019, bazuar në Raportin e ILDKPI të vitit 2019, ka vendosur ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos. Më tej Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shpallur një tjetër procedurë aplikimi më 22.11.2019, në të cilën Zhaklina Peto ka riaplikuar.
Gjykata e Apelit Administrativ vendosi pranimin e pjesshëm të padisë së Zhaklina Petos, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të KED. Megjithatë, në mbledhjen e datës 23.11.2020, KED ka marrë vendimin nr. 37 përmes të cilit ka vendosur ndalimin e kandidimit të kandidates Zhaklina Peto. Ky vendim u riankimua dhe me vendimin e datës 7.12.2020 Gjykata e Apelit Administrativ vendosi pranimin e pjesshëm të padise duke shfuqizuar vendimin e KED.
Maratona e përballjes vazhdoi më tej, teksa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 61 të datës 23.12.2020 u shpreh në favor të përfundimit të kandidimit të kandidates Zhaklina Peto në vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Znj. Peto e riankimoi në Gjykatën e Apelit Administrativ e cila kësaj radhe e pushoi çështjen.
Mbas këtyre procedurave, me shpalljen e vendeve për në Gjykatën Kushtetuese, nga Gjykata e Lartë, znj. Peto kandidoi përsëri, sërish KED me vendimin nr. 16 të datës 18.11.2021 vendosi ndalimin e kandidimit të paditëses.
Dhe kjo na sjell në çështjen e ditës së sotme, pas padisë së radhës në Gjykatën e Apelit Administrativ nga znj. Peto. Siç e thamë edhe më lart, përsëri Gjykata ka vendosur në favor të znj. Peto. Mbetet për t'u parë në vijim si do të vazhdojë kjo histori suksesi e Reformës në Drejtësi.
MCN TV



