
Për sekretarin për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, vullnetin e demokratëve nuk e mban dot peng gjykata, por se vonesa e dhënies së tij vetëm mund të rrisë fraksionet brenda partisë.
Nga studio e MCN Live, ai tha se vullnetin e lirë të demokratëve nuk e zhbën dot gjykata, madje e cilësoi si amulli institucionale, e cila vonohet me ndikimin e mazhorancës.
Mbajtja pezull e vendimit të gjykatës nuk i bën mirë anës formale të Partisë Demokratike, por pavarësisht kësaj opozita do kandidojë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, për t’u kthyer qytetarëve administratorë të përgjegjshëm, të zgjedhur me votë dhe jo të emëruar nga partia-shtet.
PD është në një proces historik negociatash me aleatët, me qëllim jo vetëm ndarjen dhe dakordësinë mbi modalitetin e zgjedhjes së kandidaturave, por edhe për përcaktimin e detajeve specifike si do të garohet në zonat zgjedhore, duke mbajtur parasysh ndarjen territoriale në fuqi.
Grupi drejtohet nga zoti Berisha dhe drejtues të lartë të PD dhe me aleatët që kanë marrëveshje të gjatë negocimi.
Në javët e ardhshme shpresojmë të detajohet ky proces, që të caktojmë datën për primaret për të marrë pjesë në këtë garë, që për herë të parë shkon përtej gardhit të anëtarësisë, pro tek simpatizantët dhe qytetarët.
Detajet e koalicionit do të jenë gjatë javëve të ardhshme. Ka një grup partish aleate që tradicionalisht në zgjedhjet e fundit kanë garuar me PD, si PR, PDK.
Nëse Partia Republikane e Fatmir Mediut do të jetë në koalicion me PD, Kaso tha se e ka shpallur prej vitesh partneritetin e saj strategjik dhe afatgjatë të PD dhe si të tillë, nënvizoi se nuk beson se do bëj ndryshe në këto zgjedhje.
Gjithsesi ai tha se mbetet të shihet se në momentin e finalizimit të modaliteteve konkretet të marrëveshjes së koalicionit, por shtoi se në vizion strategjik, gjithë aleatët tradicionalë do të jenë në krahë të PD.
PD, si partia më e madhe e opozitës duhet perfeksionuar me imputet e aleatëve, gjithçka është në tryezën e diskutimit.
Çdo imput që vjen, edhe nga PR dhe partitë e tjera që e shohin të pazgjidhur aksionin politik për opozitën, bashkë me PD, e cila është lokomotiva që tërheq gjithë frontin opozitar dhe shpresojmë që shumë shpejt, ky front opozitar të kthehet në mazhorancë qeverisëse.
Ndër të tjera Kaso deklaroi se protesta ka për të patur shumë shpejt, ndonëse tha se aksioni i PD nuk është përqendruar vetëm te protestat, por është shumëplanësh.
Gjithsesi sipas tij, protestat i shkurtojnë ditët kësaj qeverisje, dhe nënvizoi se nuk do të vonojnë.
Sa i takon zgjedhjeve për kreun e FRPD, tha se 6 kandidatët shpalosën platformat, duke e cilësuar si tregues demokracie.
Por Kaso tha se duke patur shumë kandidatë dhe mbështetje, kontestime mund të ketë, por se problematikat gjithsesi nuk kanë qenë përcaktuese për rezultatin.



