Rusia do të bllokojë deklaratën përfundimtare të samitit të G20 të këtij muaji, nëse ajo nuk pasqyron qëndrimin e Moskës për Ukrainën dhe krizat e tjera, duke i lënë pjesëmarrësit të lëshojnë një komunikatë jodetyruese ose të pjesshme, tha të premten ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Lavrov do të përfaqësojë Rusinë në takimin e 9-10 shtatorit të Grupit të 20 vendeve kryesore të industrializuara dhe në zhvillim në Nju Delhi.
"Nuk do të ketë asnjë deklaratë të përgjithshme në emër të të gjithë anëtarëve nëse qëndrimi ynë nuk pasqyrohet," u tha Lavrov studentëve në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë.
Lavrov tha se perëndimi e kishte ngritur Ukrainën në takimet që përgatiteshin për samitin, të cilit Rusia i ishte përgjigjur se "çështja është e mbyllur për ne", raporton Reuters.
Ai akuzoi perëndimin për minimin e institucioneve ndërkombëtare duke shtyrë axhendën e vet dhe sugjeroi që, nëse konsensusi nuk mund të arrihet në takimin e G20, një komunikatë jo detyruese mund të lëshohej nga presidenca e G20.
“Një opsion tjetër është miratimi i një dokumenti që fokusohet në vendime specifike në sferën e kompetencave të G20-ës, dhe të gjithë le të thonë pjesën tjetër në emër të tyre”, tha Lavrov.
Vladimir Putin nuk dihet se ka udhëtuar jashtë vendit që kur gjykata ndërkombëtare penale lëshoi një urdhër arresti për të në mars me dyshimin për krime lufte në Ukrainë.
Vitin e kaluar, G20 miratoi njëzëri një deklaratë duke thënë se shumica e anëtarëve dënonin luftën në Ukrainë, por dokumenti në fund të samitit pranoi se disa vende e panë konfliktin ndryshe.



