Në fletoren zyrtare të qeverisë greke u botua sot Dekreti i Presidentit, sipas të cilit “Republika Greke shpall Zonat Ekskluzive Ekonomike në detin Jon, ishujt Jonianë deri në Kepin Tainaro në Peloponez”.
Ish-komandati i Forcave Detare, Artur Meçollari tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se harta e publikuar “është një provokacion”, pasi “nuk ekziston një vijë delimituese e miratuar” mes dy vendeve.
Sipas tij qeveria shqiptare e ka detyrim ligjor, moral dhe shtetëror që ta kontestojë, përmes një note proteste ose deklarate.

Meçollari vuri në dukje se vendosja e një vije të tillë në mënyrë të njëanshme krijon një precedent, që në të ardhmen mund të përdoret nga Greqia.
“Presidenti i Greqisë ka shpallur zonën ekskluzive ekonomike. Kjo shpallje nuk ndikon në delimitimin e hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse kjo shpall vetëm hapësirën detare midis, ose në lindje të vijës delimituese midis Italisë dhe Greqisë. Vetëm këtë zonë e shpall si zonë ekskluzive ekonomike.
Problemi është që harta e cila është publikuar është një hartë zyrtare, dhe është një provokacion, pasi vija të tilla hidhen vetëm për ato elementë detarë që janë miratuar me ligj të brendshëm dhe që janë të parashikuar si të tilla me ligj të brendshëm, si vija e drejtë bazë, apo kufiri i jashtëm i detit territorial që mund të jetë nga 0-12 milje.
Në hapësirat ku Greqia s’ka marrëveshje nuk mund të hedhë vija, as të ndërprera. Vendosja e një vije të tillë kur s’ekziston, nuk ekziston vijë delimituese e miratuar, delimitimi bëhet vetëm me marrëveshje ose me vendim gjykate.
Duke hedhur një vijë në mënyrë të njëanshme krijon një zakon, krijon një precedent, që nesër të thuash në rast se shteti tjetër s’e konteston, të thuash ja kjo vijë ka ekzistuar, e kam zyrtarisht.Qeveria shqiptare ka detyrimin ligjor, detyrimin moral, shtetëror, të kontestojë atë pjesë të kësaj harte, që lidhet me kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, që ata kanë vendosur vijën. S’ka vijë delimituese. Duke vendosur ata një vijë, në Veri të Krofuzit, ata kanë krijuar një precedent. Më e keqja është që kanë vendosur një vijë, por një vijë e cila përputhet plotësisht me marrëveshjen e vitit 2009.
Dokumenti është publik, është në faqen e internetit, i kërkohet nga Brukseli, dhe qeveria shqiptare duhet të bëjë një notë proteste, apo një deklaratë zyrtare, ku të deklarojë që vija delimituese që është hedhur në hapësirën e kontestuar cenon raportin mes dy vendeve, krijon precedent të rrezikshëm dhe është në cenim të të drejtës ndërkombëtare”.



