Kreu i grupit parlamentar të PS-së shpreh gatishmërinë e socialistëve për të bashkëqeverisur me partitë opozitare në të mirë të integrimit të vendit. Gjatë mbledhjes së Shkollës Verore Europiane, Taulant Balla tha se në rrugëtimin e Shqipërisë për në BE duhet të jemi të gjithë bashkë.
“E ardhmja e Shqipërisë është në duart e shqiptarëve dhe BE është instrumenti më i mirë për të arritur objektivat. Nuk kemi rrugë tjetër përveç përshpejtimit të anëtarësimit tonë në BE dhe në këtë process, ne duhet të jemi të gjithë bashkë, pa asnjë dallim. Më lejoni t’ju them që ne do të bëjmë gjithçka mundemi si mazhorancë për të garantuar që një frymë shumë e mirë komunikimi që ka mbizotëruar në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe Komisionin e Integrimit të jetë një model i ri i punës parlamentare për t’i dhënë fund një fotografie jo shumë parlamentare të ditës së enjte në Parlament. PS që unë përfaqësoj është e gatshme të bashkëqeverisë me të gjithë njerëzit, sigurisht edhe me opozitat parlamentare në objektivin e përbashkët për integrimin europian”, tha Balla.



