
Komuna e Tarantos në Itali më datë 9 janar 2020 njoftoi shpalljen e një tenderi për shitjen e ndërtesave publike kundrejt shumës simbolike 1 euro.
“Ky projekt ka nisur rrugëtimin e tij ambicioz dhe deri më datë 20 nëntor bizneset, agjensitë, ndërmarrjet ose qytetarët privatë duhet të paraqesin propozimet e tyre", saktëson Komuna e Tarantos.
Projekti përfshin fshatin e vjetër të Tarantos, ndaj dhe po trajtohet me seriozitet dhe ambicie.
Dikur ishte një qytet me 40 000 banorë, sot kjo zonë është e banuar nga më pak se 3 000 njerëz dhe administrata ka vendosur ta ripopullojë atë, duke shitur prona për 1 euro. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë , Italia ka plot qytete të vogla me oferta të ngjashme.
Por në këtë rast iniciativa është nga qyteti i 17-të italian, Taranto. Edhe pse është afër 200 000 banorë, ajo ka një zemër që ka ndaluar rrahjen për më shumë se dyzet vjet, pasi rënia e një ndërtese në Vico Reale në 1975 shkatërroi një familje të tërë.
Oferta fillestare ishte menduar të niste me 3 objekte, por pas publikimit të lajmit kërkesat ishin të larta dhe administrata vendos që të zgjerojë ofertën fillestare me 7 objekte.
Komuna gjithashtu ka menduar të rindërtojë disa ndërtesa të vjetra me vlerë historike për Taranton.



