
37 persona kanë mbetur të vdekur dhe rreth 100 të tjerë janë lënduar pasi një traget në Bangladesh është përfshirë nga flakët.
Mediat e huaja bëjnë me dije se zjarri në anijen me tre kuvertë filloi në mes të lumit pranë qytetit të Jhalakathi ndërsa lundronte nga kryeqyteti Dhaka për në qytetin e Barguna.
Disa prej viktimave u mbytën pasi u hodhën në lumë. Numri i viktimave në fatkeqësinë e së premtes ka të ngjarë të rritet pasi shumë nga pasagjerëve kanë djegie të rënda. Në bordin e anijes thuhet se ishin rreth 500 persona.
Zjarri besohet se ka filluar në dhomën e motorit dhe është përhapur shpejt ndërsa trageti udhëtoi përgjatë lumit Sugandha në orët e para, tha zyrtari i shërbimit zjarrfikës Kamal Hossain Bhuiyan për mediat lokale.
Mësohet se zjarri ka vazhduar për orë të tëra. Ndërkohë një pasagjere që mbijetoi, një gjyshe e moshuar, i tha agjencisë së lajmeve AFP se shumica e njerëzve ishin në gjumë kur zjarri përfshiu tragetin.
"Ne ishim duke fjetur në një dyshek në kuvertën e katit përdhes," tha ajo. "Nipi im nëntë vjeçar, Nayeem, ishte me mua, ai u hodh në lumë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me të”.



