Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo deklaroi në MCN Live se nuk beson që Mali i Zi të ketë ndryshime themelore në kursin e saj të politikës së jashtme pas fitores së partisë “Europa Tani”. Sipas Milos Mali i Zi s’do ta sakrifikojë orientimin themelor euroatlantik për një politikë konjukturiale me Serbinë. Megjithatë Milo thotë se ndryshe nga më parë Mali i Zi mund të jetë i prirur për t’iu bashkuar Ballkanit të Hapur. I pyetur a prisni që Mali i Zi të ketë një kurs më nacionalist pas ikjes se Gjukanoviç?, Milo tha: "Gjasat në teori janë sepse kjo është një parti që është krijuar mbi bazën e disa aleancave fluide, anti Gjukanoviç, dhe përballë ballafaqimeve që do ketë në të ardhmen do duket çfarë qëndrimesh do mbajë në qëndrimet kryesore, si qëndrimi euroatlantik i Malit të Zi dhe qëndrimin ndaj Serbisë. Gjasat janë. Koha do tregojë gjatë javëve të ardhshme se çfarë qëndrimesh do të mbajë, ka një të panjohur në rrugën e kësaj partie. Por duke qenë s’e nuk i ka pozitat e forta, ka 23 mandate, i duhet të bëjë koalicion me 2-3 parti të tjera, përjashto partitë e Gjukanoviçit dhe Abazoviçit. Mundësitë për të krijuar qeveri koalicioni ekzistojnë, do të varet shumë nga negocatiat që kanë filluar të bëhen, për të parë trendin se me kë do krijohet kjo qeveri. E rëndësishme është që shqiptarët të mos e refuzojnë një ftesë për të qenë në qeveri, për të ndikuar në realizimin e interesave dhe të të drejtave të tyre. Mbyllet një epokë me largimin e Gjukanoviçit edhe nga drejtimi i partisë së tij, me shpresë që forcat e reja politike që po vijnë në pushtet, do shohin drejt BE-së, drejt aleancës me NATO-n dhe do jenë më pak të prirura që të vështrojnë nga Beogradi". Pyetjes, a ka gjasa të tërhiqet njohja e Kosovës?, ish-ministri i Jashtëm i përgjigjet: “Nuk e besoj. Mali i Zi tashmë ka një identitet, është shtet i pavarur, është anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, dhe s’mund ta sakrifikojë këtë orientim themelor me një politikë konjukturiale, të padobishme, në një marrëdhënie të ngushte me Beogradin. S’besoj që Mali i Zi të ndryshojë kursin themelor. Mali i Zi mund të jetë i prirur për t’i bashkuar Ballkanit të Hapur, që do shënonte një farë ndryshimi në raport me orientimin e mëparshëm. Por s’besoj të kemi ndryshime thelbësore në politikën e Malit të Zi në politikën e jashtme”, deklaroi Milo. Lidhur me figurën e Dritan Abazoviç, Milo jep këtë vlerësim: “Është një fenomen që ka ndodhur edhe në mjaft vende të tjera. Këto figura politike janë produkte konjukturiale të forcave të aktorëve të mëdhenj politik, që s’kapin dot shifra për qeveri, dhe lejojnë hapësira që i shfrytëzojnë parti të vogla. Por dihet që këto janë qeveri të përkohshme gjithmonë. Rrallë ndodh që të ketë qeveri të qëndrueshme dhe afatgjate që vijnë nga partitë e vogla. Por me 11 mandate në Parlament qëndron sërish si faktor i rëndësishëm politik në Malin e Zi”, u shpreh ai. Ai thekson se pesha e faktorit shqiptar në Malin e Zi do të rritet, ku tashmë do të jenë 6 deputetë në Parlament. “Pesha e faktorit shqiptar rritet në dy aspekte, e para në aspektin e numrit të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, 6, hera e parë me sa më kujtohet mua që arrijnë një numër të tillë. Ka 3 deputetë nga partitë nacionaliste shqiptare, që janë të lidhur drejtpërdrejt me shqiptare”, tha Milo. Milo tha se mbledhja e të mërkurës mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do jetë shumë e vështirë, edhe pse në dukje mund të shfaqet si miqësore. “E shoh që do jetë një mbledhje shumë e vështirë. Në dukje mund të jetë miqësore, por nën të do të sundojë një frymë mosbesimi, pakënaqësie. Dy kryeministrat do bëjnë çmos që ta mbulojnë, të mos e shfaqin, sepse ndryshe do dështonte mbledhja vet. Do ruhet fasada. Do bëhen ato marrëveshje që ishin parashikuar. Është thyer diçka në marrëdhënien personale të dy kryeministrave, që reflektohet në marrëdhëniet mes dy qeverive dhe dy vendeve. Aq më tepër që sot kryeministri shqiptar ka bërë një deklaratë që e vë direkt në përgjegjësi qeverinë e Kosovës për zhytjen e Kosovës në qorrësokak, është fjalë e rëndë qorrësokak. Aftësia e kryeministrave është që të tejkalojnë një dallim në qasjen personale dhe të krijojnë një atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi”, vijoi ai.



