Sllovenia mban sot zgjedhjet e përgjithshme. Partia Demokratike Sllovene, SDS, duket më e favorizuara në këto zgjedhje. E drejtuar nga Janez Janša, kjo parti ka parë rritje të mbështetjes dy vitet e fundit, kohë gjatë të cilës rreth gjysmë milioni emigrantë kanë kaluar përmes Sllovenisë drejt vendeve të Europës Perëndimore.
Janša ka përballë rivalin Miro Cerar, i Partisë Moderne të Qendrës, forcë politike e majtë. Cerar ka mbajtur postin e kryeministrit që nga viti 2014 deri në mars të këtij viti. Po ashtu, në garë është edhe kandidati i pavarur Marjan Šarec, i cili ka mbajtur detyrën e krybashkiakut të Kamnik-ut që nga viti 2014.
Analistët politikë në Slloveni thonë se Janša ka vënë në funksion të fushatës së tij taktika të liderëve të tjerë botërorë.
“Fushata elektorale ka qenë e shkëlqyer për standardet sllovene. SDS kanë kopjuar shumë gjëra nga Fidesz-i në Hungari dhe shumë të tjera nga republikanët konservatorë në SHBA. I kanë miksuar së bashku dhe kanë performuar shumë mirë”, Miha Kovac, analist politik.
Sondazhet e fundit para zgjedhjeve e nxjerrin SDS-në e Janša-s me më shumë se 25%, ndërsa rivali tjetër parashikohet të marrë 14%.
Megjithatë, në rast pamundësie për koalicion, SDS mund ta ketë të pamundur të ngjitet në pushtet.



