Presidenti Donald Trump ka lënë mbrëmjen e djeshme spitalin Ushtarak “Walter Reed” ku trajtohej për Covid-19 dhe ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë.
CNN ka publikuar videon kur Trump del me maskë nga spitali dhe me helikopter shkon në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa nga ballkoni përshëndet mbështetësit e tij. Ai shfaqet pa maskë në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se ditët e fundit aty kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 disa persona.
"Ndihem vërtet mirë!", shkroi Trump në Twitter, ndërsa shtoi "Mos ki frikë nga Covid. Mos e lejo të dominojë jetën tënde.” Duke u thënë amerikanëve që të mos kenë frikë nga sëmundja, Presidenti shkroi përpara se të largohej nga spitali të hënën në mbrëmje se “ndihej më mirë se 20 vite më parë.”
Infektimi me Covid-19 ka ndërprerë fushatën e Trump për një mandat të dytë në detyrë, më pak se një muaj para se presidenti republikan të përballet me demokratin Joe Biden në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë,
Pak minuta para se të dilte nga spitali, ai bëri një postim në Twitter, ku tha se “do t’i kthehet fushatës zgjedhore së shpejti”.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor.



