
Një koncesion arkeologjik e cilësoi arkeologu Neritan Ceka projektin e ri për menaxhimin e parkut të Butrintit, i cili iu rikthye Parlamentit për rishqyrtim një ditë më parë nga kreu i shtetit. Në studion e lajmeve të MCN TV, Ceka tha se marrëveshjes nuk iu ndryshua asgjë gjatë diskutimeve në Parlament, pavarësisht kundërshtive të Akademisë së Shkencave dhe komunitetit të studiuesve.
Projekti i Butrintit që jepet në administrim përmban edhe hulumtimin. Marrëveshja ka kaluar në Parlament në mënyrë të çuditshme duke përfshirë hulumtimin. Pra është një koncesion arkeologjik. Janë disa kontradiktat që duhej të ishin zgjidhur gjatë diskutimit në parlament. Por parlamenti kalon urdhrat e qeverisë. Akademia e shkencave kërkon mosshkeljen e neneve 131 dhe 133, duke i dhënë ekskluzivitetin e kërkimeve një fondacioni. Kërkoj që parlamenti ta shohë si çështje të interesit kombëtar dhe jo si përplasje pozitë-opozitë.
Ceka tha se para të gjithëve duhet dëgjuar zëri i arkeologëve shqiptarë, të cilët në këtë rast janë injoruar.
Butrinti nuk ka qenë koloni greke si Apollonia apo Dyrrahu. Arkeologët shqiptarë kanë qenë gjithnjë korrektë. Nuk mund ti akuzosh as për enverizëm, as për folklorizëm.
Ka pasur Instituti i Monumenteve doktorë shkencash. Sot janë 50 vetë dhe asnjë nuk del të thotë një mendim se çfarë po bëhet. Këta punojnë me Londrën. Butrinti është studiuar nga arkeologë shqiptarë. Nuk është pyetur Instituti i Arkeologjisë. Shteti shqiptar ka 60 vjet që më paguan mua. Këta duhej të më sillnin policinë të më merrte nëse nuk pranoja të punoja për Butrintin. Nuk më ka kërkuar njeri. I marrin këshillat në Londër.



