
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një dalje për media ka denoncuar rrjedhjen e një numri të madh të dhënash nga sistemi Memex.
Berisha, bëri të ditur se janë publikuar nga kartoteka e punës 30-vjeçare të policisë së shtetit të 105 mijë emra shqiptarësh që janë të dyshuar apo nën hetim nga policia për krime të ndryshme.
Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies.
Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë. Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.
Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale.
Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit.
Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen.
Sipas Berishes, referuar burimeve të tij, që nga 15 korriku, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve.
Berisha denoncoi faktin se sistemet shqiptare janë hakuar jo vetëm nga iranianë, por edhe hakera të tjerë qeveritarë.
Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve.
Të gjitha të tjerat, janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë.
Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze, është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën.
Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, këtë veprimtari kriminale, shtetërore.



