Të tjera detaje janë publikuar në mediat italiane lidhur me ngjarjen e rëndë, ku u vra 37-vjeçarja shqiptare, Klodiana Vefa, me autor bashkëshortin e saj. Sipas tyre, krimi ishte i paralajmëruar, ndërsa martesa e 37-vjeçares me Alfred Vefës kishte përfunduar rreth 6 vite më parë.
Klodiana thuhet se kishte nisur një tjetër jetë, mirëpo ndarja nuk pranohej nga bashkëshorti i saj. Nga dëshmitë e dhëna por dhe informacionet e mbledhura nga hetuesit italianë, Alfredi e kishte kërcënuar disa herë Klodianën, duke i thënë “po të numërohen ditët” dhe “do të jesh e imja ose e askujt”.
Sipas hetuesve italianë Klodiana Vefa ishte në dijeni që Alfredi mbante një armë pa leje, por nuk kishte frikë. Grupi hetimor beson se për vrasjen e 37-vjeçares nuk kishte një shkak konkret, por ka qenë situata e akumuluar prej kohësh çka detyroi Alfred Vefën të ekzekutonte me 3 plumba nënën e dy fëmijëve.



