Për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi kanë shprehur gatishmërinë rreth 2 mijë mjekë të dalë në pension dhe studentë të mjekësisë. Kreu i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Ibrahimaj, në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, tha se ky kontigjent është gati t’u bashkohet bluzave të bardha në rast të përshkallëzimit të situatës së epidemisë.
“Kanë shprehur gatishmërinë rreth 2 mijë bluza të bardha, mjekë të dalë në pension, infermirerë, studentë. Është një armatë e tërë, që janë gati”, tha ai.
Lidhur me fondin special të parashikuar për sistemin shëndetësor, Ibrahimaj tha nuk mund të parashikohet nëse është i mjaftueshëm, përsa kohë nuk dihet cila do të jetë trajektorja e epidemisë në vendin tonë.
“Pa qenë ata të gatshëm e të shëndetshëm nuk mund të garantohet kujdes cilësor. Është e vështirë të themi dalin apo jo paratë, sepse nuk dimë ecurinë e këtij infeksioni. Por në të gjithë botën nuk ka buxhet të mjaftueshëm për shëndetësinë, sepse kërkesat janë maksimale. Por mes kërkesave ka disa që janë më të nevojshme”, tha ai.
Aktualisht, në Spitalin Infektiv janë 35 të sëmurë të shtruar, 3 prej tyre në reanimacion, por asnjë i intubuar. Ibrahimaj tha se ky spital ka kapacitet 120 shtretër dhe janë marrë të gjitha masat për përballimin e rasteve të tjera.
Ibrahimaj tha se përvoja e Italisë në përballjen me Covid-19 duhet të shërbejë si mësim për Shqipërinë.
“Ka shumë rëndësi ecuria e kësaj epidemie. Marrim rastin e shërbimit shëndetësor në Lombardi dhe standardet e tij të arta. Ra në kolaps sepse nuk u bënë gjërat e duhura. Ajo që ne përfitojmë nga përvoja e hidhur e Italisë është mësimi për të prishur hallkat e përhapjes së epidemisë”, tha ai.
“Të papritura mund të ketë, uroj të mos jetë skenari i Italisë. Masat janë marrë që zhvillimi të jetë i ngadaltë dhe i përballueshëm nga sistemi shëndetësor. Duhet të kemi parasysh që secili me veprimin që bën ndihmon në përhapjen ose frenimin e sëmundjes”.
Ibrahimaj tha se është e vështirë të parashikohet ecuria e përhapjes së koronavirusit. Megjithatë, epidemi të mëparshme kanë infektuar 60-70% të popullatës.
“Duhet kujdes, jo frikë. Ne me veprimet tona mund të kontribuojmë në favor të jetës”, përfundoi ai.



