Ambasada amerikane në Kiev pritet të rihapet brenda dy javësh. Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë për mediat në kufirin polak, një ditë pas takimit me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin e vendit.
Blinken, i cili dje njoftoi kthimin e diplomatëve amerikanë në Kiev, shpjegoi se Uashingtoni “po vepron me kujdes, duke i dhënë përparësi sigurisë së personelit të tij diplomatik”.
Kryediplomati i Uashingtonit ishte të dielën në vizitën e parë zyrtare në Ukrainë, që nga nisja e agresionit rus më 24 shkurt, për të njoftuar një kthim gradual të diplomatëve amerikanë dhe emërimin e një ambasadori të ri.



