Një juri në Manhatan ka votuar për të paditur Doland Trump shkruan CNN. Kjo është hera e parë në historinë amerikane që një president aktual ose ish-president do të përballet me akuza penale.
Prokurorët thanë se po punonin për të çuar për gjykim ish-presidentin Donald Trump javën e ardhshme. Ata nuk thanë nëse synonin të kërkonin burg në rast të një dënimi, gjë që nuk do ta pengonte Trump të kërkonte dhe të merrte presidencën.
Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklarate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.
Ish-Presidenti Trump tha në deklaratë se, demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.
“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zotit Trump.
Në një deklaratë që konfirmon akuzat, avokatët mbrojtës Susan Necheles dhe Joseph Tacopina thanë se Trump "nuk ka kryer ndonjë krim. Ne do ta luftojmë fuqishëm këtë ndjekje politike në gjykatë”.
Hapja e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj 76-vjeçarit Trump, është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit dhe politikës.
Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë së Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani Trump po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.
Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur marrdhënënie intime me të.
Trump, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe ka sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin si të motivuar politikisht, pritet t'u dorëzohet autoriteteve javën e ardhshme, megjithëse detajet janë ende duke u përpunuar, sipas një personi anonim që ka njohuri për çështjen.
Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin hapin me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj zotit Trump.
Trump përballet me një sërë hetimesh të tjera, ndërsa ai po bën fushatë për një mandat tjetër në 2024, duke përfshirë një hetim penal mbi dokumentet sekrete të gjetura në pronën e tij në Florida, një hetim në Uashington në përpjekjet e tij për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe një hetim në Gjeorgji duke kërkuar nëse ai dhe aleatët e tij ndërhynë ilegalisht në zgjedhjet e vitit 2020.



