Jean-Marie Le Pen (92 vjeç) dhe gruaja e tij Jany (88 vjeçe), u martuan përmes një ceremonie civile 20 vjet më parë. Por pavarësisht moshës së thyer, ata u martuan përsëri në fshehtësi dhe pa ftuar anëtarët e familjes sipas ritit katolik.
Lajmin e bën të ditur e përjavshmja L'Obs. Ish-udhëheqësi i ekstremit të djathtë, themeluesi i Frontit Kombëtar, i tha po Jany-t për herë të dytë në shtëpinë e tij në Rueil-Malmaison, në hyrje të Parisit.
Ceremoninë e drejtoi, Philippe Laguérie, eksponent i botës katolike tradicionale. Shumë pak njerëz ishin të pranishëm, përfshirë këshilltarët e liderit të dikurshëm të së djathtës, Lorrain de Saint-Affrique dhe Gérald Guérin.
Nuk kanë qenë të ftuara tre vajzat e Jean-Marie Le Pen, as 8 nipërit, që pretendojnë se e kanë marrë vesh lajmin nga revista që e botoi e para. Sipas mediave franceze, Marine Le Pen dhe dy motrat e saj kanë mbetur "të shokuara" nga lajmi.
Marine Le Pen, vajza e Jean-Marie Le Pen, drejton aktualisht partinë që themeloi dikur i ati.



