Banorët e fshatit Adriatik, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe, vijojnë të përballen me mungesën e një ure që prej vitesh i ka izoluar dhe u ka vështirësuar aksesin drejt bregdetit të Adriatikut.
Ura e Godullës, e cila dikur shërbente si lidhja kryesore mes zonës së banuar dhe plazhit, sot nuk ekziston më, ndërsa në vendin ku ngrihej kanë mbetur vetëm gjurmët e saj.Mungesa e urës, e shoqëruar me prurjet e lumit, e bën të pamundur kalimin nga njëra anë në tjetrën.
Banorët thonë se kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme, duke kufizuar lëvizjen dhe duke penguar zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
Sipas tyre, rindërtimi i urës do t’i jepte një tjetër perspektivë fshatit dhe do të rikthente vizitorët që dikur frekuentonin këtë bregdet.Për të arritur në anën tjetër të lumit, banorët dhe vizitorët detyrohen të ndjekin një rrugë alternative që zgjat rreth një orë.
Ky aks konsiderohet i vështirë dhe në shumë segmente thuajse i pakalueshëm, duke kërkuar përdorimin e mjeteve të posaçme 4x4. Problemet nuk mbarojnë me mungesën e infrastrukturës.
Në bregdetin e Xhadave, vizitorët përballen me një ndotje të konsiderueshme mjedisore. Kilometra të tëra të brezit ranor janë të mbuluara nga mbetje të ndryshme të sjella nga deti dhe nga prurjet e lumit Ishëm.
Banorët shprehen se mungesa e aksesit ka bërë që kjo zonë të mbetet jashtë vëmendjes së institucioneve, ndërsa ndotja vijon të përkeqësohet.
Kryetari i Njësisë Administrative Fushë Kuqe, Kristo Martinaj, konfirmon se institucioni që ai drejton është në dijeni të problematikës, por thekson se ndërtimi i një ure të re nuk është në kompetencat dhe mundësitë financiare të njësisë administrative.
Ai kujton se ura e mëparshme ishte ndërtuar me kontributin e vetë banorëve dhe jo nga institucionet shtetërore.
Sa i përket pastrimit të plazhit, Martinaj shprehet se janë ndërmarrë disa iniciativa në bashkëpunim me banorët dhe nxënësit e shkollave, por menaxhimi i territorit dhe ndarja e kompetencave mes institucioneve kanë vështirësuar ndërhyrjen.
Sipas tij, zgjidhja e kësaj situate kërkon angazhimin dhe investimin e institucioneve përgjegjëse, si për rikthimin e urës, ashtu edhe për rehabilitimin e bregdetit.



