Edvin Prençe, drejtues i Proexport Albania tha në studion e emisionit “MCN Economy” se vetëm në vitin 2025 janë shkurtuar 12 mijë vende pune në sektorin e fasonerisë.
Duke vijuar Prençe tha se është ulur produktiviteti dhe mungesa e likuiditetit për këta 12 mijë njerëz ka bërë që të ulet fuqia blerëse.
Sipas Prençes qeveria ka një detyrim moral dhe kushtetues që të ndërhyjë.
Janë shkurtime të vendeve të punës. Vetëm në 2025, përllogariten nga ana jonë 12 mijë vende pune të shkurtuara. Flasim për paga që këta njerëz nuk marrin. Flasim për taksa që shteti nuk mund të marrë më. Mungesa e këtyre 12 mijë njerëzve ka sjellë ulje të produktivitetit. Më kryesorja është mungesa e likuiditetit e këtyre njerëzve për blerjen e shportës. Është situatë që nuk ka rrugëdalje, e vetmja zgjedhje që shohin sipërmarrësit është mbyllja e kapanoneve.
Kemi që në 2020 që kemi ngritur zërin. Trendi i kursit të këmbimit ka kaluar 20%. Kjo është një nga goditjet kryesore që kemi pasur.
Ky sektor po shkon drejt fikjes.
Asnjë sektor nuk ka qenë në gjendje t’i mbajë këta njerëz që janë trajnuar brenda këtyre fabrikave.
Duhet ndërgjegjësim i qeverisë. Është detyrë morale dhe kushtetuese që një pjesë e këtij suficiti të riinjektohet në ekonomi.



